Policia konfirmon incidentet në Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut, dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime

Policia e Kosovës ka dhënë informacione lidhur me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe  dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje thuhet se Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.
Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa në orët e pasdites në veri të vendit janë disa shpërthime dhe sirena.

‘Shock bombat’ siç mëson KALLXO.com janë gjuajtur në drejtim të zyreve të KQZ-së në vendin ku ishin edhe zyrtarët policor të Policisë së Kosovës.

Situata në veri, forca të shtuara të Policisë të ura e Ibrit – VIDEO