Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani priti në takim një grup gazetaresh ukrainase të strehuara në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të ditës së pavarësisë së shtetit të Ukrainës ka organizuar një pritje për një delegacion të gazetareve të strehuara nga Ukraina në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, që është e iniciuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, si dhe të mbështetur nga Qeveria e Kosovës.

Presidentja, duke përmendur luftën e fundit në Kosovë, ka deklaruar se “siç ka fituar Kosova më 1999 bashkë me miq, ashtu do të fitojë edhe Ukraina”, nga pushtimi rus.

“Askush më mirë se populli i Kosovës nuk e njeh dhimbjen dhe vuajtjet e popullit ukrainas. Në luftë nevojitet të plasohet e vërteta. Siç ka fituar Kosova më 1999 bashkë me miq, ashtu do të fitojë edhe Ukraina”- ka theksuar ajo në takim me gazetaret ukrainase.

Osmani poashtu tha se Populli i Kosovës është përkrah atij të Ukrainës, teksa ka ftuar gazetarët ukrainas që të jenë zë i fuqishëm i thellimit të raporteve ndërmjet të dy shteteve.

“Kosova do ta mbështesë popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja”- ka përfunduar presidentja.

Në një takim tjetër delegacionin e gazetarëve ukrainas e ka pritur edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ajo ka njoftuar se në përvjetorin e bashkpunimit me AGK-në ka pritur gazetarët ukrainas që po qëndrojnë përkohësisht në Kosovë.

“Gjatë këtij takimi bisedova me gazetaret për punën time si Presidentja e parë grua e Kosovës për sfidat dhe arritjet, e për punën që vazhdoj ta bëjë për fuqizimin e pozitës së gruas në Kosovë. Gjithashtu gjatë këtij takimi biseduam edhe për përvojat e tyre në Kosovë, si u mirëpritën e si po adaptohen. Tutje diskutuam edhe për punën që po bëjnë në kryerjen e punës si gazetare dhe sfidat që po i hasin në raportim”- ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Gazetarët ukrainas kanë falënderuar shtetin e Kosovës për mbështetjen e deritashme, teksa nga AGK-ja dhe ECPMF-ja kanë paralajmëruar rritjen e numrit të gazetarëve ukrainas, të cilët do të strehohen në Kosovë.

Ukraina sot shënon 31-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.