Osmani pret ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Bela Boszik.

Osmani ka uruar për detyrën ambasadorin e ri dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, ka njoftuar presidenca e Kosovës.

“Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit  duhet të vihen para përgjegjësisë. Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës”- thuhet në komunikatën e presidencës.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për fuqizim të marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës e Hungarisë.

Ndërsa ambasadori Boszik, u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.