Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Osmani për vizat: Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët pas vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.

Osmani tha se ky vendim final është fitore edhe për demokracinë në Evropë dhe se meritë për këtë ka populli i Kosovës.

“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”- ka shkruar Osmani.

Presidentja u shpreh se tashmë qytetarët do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian për të lëvizur lirshëm.

“Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”- thekson Osmani.

Parlamenti Evropian ka miratuar sot në seancën plenare vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave