Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani pas takimit me Von der Leyen: Potencova rëndësinë e largimit të masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, diskutuan mbi planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se plani i prezantuar sot shënon hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e përbashkët europian.

“Takimi ynë i sotëm u fokusua te plani i ri i rritjes së Ballkanit Perëndimor të cilën e prezantoi presidentja von der Leyen. Krahas kësaj, kisha mundësinë të informoj presidenten për zhvillimet e fundit në vend dhe angazhimin e çdoditshëm të institucioneve tona për të integruar Kosovën në BE. Plani gjithëpërfshirës i prezantuar sot i bazuar në katër shtylla shënon hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e përbashkët europian. Ndër të tjera, plani parasheh mbështetjen e BE-së nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reforma që duhen të ndërmerren në procesin integrues”- ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se në takim ka theksuar nevojën e largimit të masave ndaj Kosovës.

“Në takim potencova rëndësinë e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës, institucionet kanë treguar përkushtim të plotë për bashkëpunim me aleatët dhe partnerët tanë dhe kanë marrë hapat e nevojshëm për të organizuar zgjedhje të lira, por adresa e pengesës mbetet në Beograd”- ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova është e përkushtuar të respektojë Kushtetutën që garanton të drejtat e komunitetit jo shumicë.

“Grupi terrorist duhet të përballet me drejtësi në Kosovë dhe i bëjmë thirrje Serbisë të ekstradojë të gjithë individët që ishin pjesë e planifikimit, organizimit e financimit të këtij akti”- ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Pas takimit me Osmanin, von der Leyen do të pritet në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.