
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Foto: Facebook
Osmani në OKB: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes dhe sigurisë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendës për Gratë Paqen dhe Sigurinë (WPS).
Osmani vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë.
Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, Osmani, ka shpalosur të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Ajo ka potencuar se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende” – thuhet në njoftim.
Tutje, Osmani ka folur për Forumin Global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në njoftim thuhet se Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi.
Presidentja e Kosovës, po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.