Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Me sigurimin e vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se përkundër sfidave fillestare, pas një angazhimi të institucioneve Kosova do të ketë sasi të mjaftueshme të vaksinave për të filluar vaksinim masiv.

“Përgëzoj në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arritje të rëndësishme. Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka bërë thirrje që deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, njerëzit të kujdesen për veten dhe familjarët e tyre.

“Deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, ju ftoj që të kujdeseni për veten si dhe për më të dashurit tuaj. Të kemi besim në njëri-tjetrin. Të kemi besim se këtë sfidë të rëndë do ta tejkalojmë së bashku”.

Sot, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se Kosova ka arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer, për blerjen e vaksinave. Sipas tij, deri në fund të këtij viti, në Kosovë pritet të arrijnë rreth 1.2 milionë vaksina.

Vitia: Deri në fund të vitit do marrim 1.2 milion vaksina antiCOVID