Vitia: Deri në fund të vitit do marrim 1.2 milion vaksina antiCOVID

Deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1 milion e 200 mijë vaksina antiCOVID në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, duke dhënë edhe detaje për planin e vaksinimit të Qeverisë.

“Para pak kohe është aprovuar Plani i Veprimit për Vaksinim masiv të popullatës, që është shpërndarë në gjithë Komunat, do të fillojë të zbatojë nga 15 qershori. Plani Masiv nënkupton administrimin e një numri më të madh të vaksinimit në muaj, në mes 300 – 400 mijë vaksina në muaj. Është planifikuar fuqizimi i kapaciteteve njerëzore, sigurimi i hapësirave për vaksinim, sigurimi i zinxhirit të ftohtë të ruajtjes, informimin dhe vetëdijesimin e popullatës”, ka thënë Vitia.

Sipas ministrit, vaksinimi është i domosdoshëm për të iu rikthyer normalitetit dhe se procedurat për regjistrim për vaksinim janë thjeshtësuar në platformën e-Kosova.

“Gjithë procesi i vaksinimit do të shkojë më shpejtë dhe më lehtë. Tani kemi finalizuar edhe marrëveshjen me Pfizer për sigurimin e dozave shtesë të vaksinave, kjo na jep mundësinë që të realizojmë synimin. Është hartuar Plani Strategjik kundër COVID-19, dhe është në fazën finale Plani i Testimit”, deklaroi ministri Vitia para gazetarëve.

Ai ka thënë se gjatë 7 ditëve të fundit janë regjistruar 263 raste pozitive dhe vetëm 5 raste të vdekjes.

Vitia tha se deri më tani, Kosova ka pranuar në total 178 mijë doza dhe në vazhdim do të ketë edhe të tjera.