Osmani kushtëzon takimin me Vuçiqin, kërkon së pari sanksione ndaj Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të zhvilloj ndonjë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës, para se të vendosen sanksione ndaj Serbisë.

E pyetur nga gazetarët, Osmani ka thënë se me presidentin serb Vuçiq nuk ka arsye për t’u takuar.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se miratohen sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”- tha Osmani.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të vendosen masa ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

3 pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar të martën në Beograd, e është liruar të mërkurën.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA-të, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.