Osmani i kërkon ambasadorit austriak që të ndikojë në liberalizimin e vizave

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, përcolli urimet e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Austrisë, Sobotka.

Kuvendi përmes një komunikate për media bën të ditur se ai e nënvizoi miqësinë e vazhdueshme të Austrisë dhe e siguroi Osmanin për përkrahjen e mëtejme të shtetit të tij për Kosovën.

Ambasadori austriak e siguroi atë se qeveria e re e Austrisë do të vazhdojë ta përkrahë edhe më tej Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Osmani e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe theksoi se Austria mbetet partner i rëndësishëm për popullin e Kosovës. Sipas saj, Kosova llogarit në bashkëpunimin e vazhdueshëm me shtetin austriak.

“Ajo kërkoi që Austria të ndikojë në liberalizimin e vizave, pasi që vendi tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por qytetarët tanë po mbahen ende të izoluar”

“Theks të veçantë bashkëbiseduesit i kushtuan bashkëpunimit në fushë të diplomacisë parlamentare”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Më tej, thuhet se Osmani e siguroi ambasadorin Waidinger se si përfaqësuese e popullit ajo do të ndikojë që Kuvendi t’i mbajë dyert të hapura për qytetarët dhe se do të jetë garantues i mbrojtjes së lirive dhe i të drejtave të tyre.​