Osmani: Edicioni i dytë i Forumit WPS do ta ketë temë bosht çështjen e dhunës seksuale në kohë lufte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 14.04.2024 ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale, të kryera nga ushtria e policia serbe në luftën e fundit në Kosovë, vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve, edhe 25 vjet pas luftës.

Ajo ka thënë se edicionit i dytë i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të ketë temë bosht çështjen e dhunës seksuale në kohë lufte.

“E po kaq i dhimbshëm është edhe fakti se krime të këtilla vazhdojnë të kryhen sot gjithandej në luftëra e konflikte nëpër botë, në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, e shumë e shumë vatra të tjera të konfliktit. Për të bërë thirrje për t’i dhënë fund praktikave të këtilla të tmerrshme të shkeljes së të drejtave më themelore të njeriut e edhe për të mobilizuar e sensibilizuar të gjithë opinionin publik, edicionit i dytë i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të ketë pikërisht temë boshte çështjen e dhunës seksuale në kohë lufte”- ka theksuar Osmani.

Sipas saj, dhimbja e Kosovës është e madhe, ngase gjatë luftës së viteve 1998-1999, janë dhunuar rreth 20 mijë gra nga ana e forcave të regjimit të Serbisë.

Sipas njoftimit, Osmani potencoi se Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Sulimani, janë gra që kanë thyer stigmën, ndaj 14 Prillin e ka cilësuar edhe shenjë respekti ndaj guximit të tyre, sikurse edhe dëshmi e përkushtimit për të punuar pandalur që autorët e krimeve të tilla të vihen para drejtësisë.

Me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), i cili do të zgjatë nga 14 prill deri më 17 prill 2024.

Sipas njoftimit, edicioni i dytë i Forumit fillon nesër (e hënë).

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ky edicion do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete të botës me afro 1 mijë pjesëmarrës, me qëllim të diskutimit dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe paqes.

Personalitete botërore në edicionin e dytë të Forumit WPS, të organizuar nga presidentja Osmani