Revista “INTRO”, që i dedikohet edukimit medial, me fokus perspektivën e qytetarëve. FOTO: KALLXO.com

'Edukimi medial, emergjencë kombëtare'

Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës (UP) ka promovuar sot revistën “INTRO”, që i dedikohet edukimit medial, me fokus perspektivën e qytetarëve.

Shkrimet e kësaj reviste janë pjesë nga puna që kanë bërë studentët e lëndës “Menaxhimi i medias” së Departamentit të Gazetarisë.

Revista “INTRO”, që i dedikohet edukimit medial, me fokus perspektivën e qytetarëve. FOTO: KALLXO.com
Promovimi i revistes “INTRO”. FOTO: KALLXO.com

Gjatë këtij promovimi, profesorët e këtij Departamenti u shprehën se çështjet e trajtuara në këtë revistë janë tema që do të jenë në shërbim të shoqërisë dhe që do ndikojnë që secili të mbrohet nga rreziqet që sjell bota virtuale.

Muhamet Jahiri, shef i Departamentit të Gazetarisë në UP, cilësoi se edukimi medial është një emergjencë kombëtare.

“Kur flasim për emergjencën e edukimit medial kam parasysh atë fëmiun që ka braktisur shkollën për shkak të bullizmit në rrjetet sociale, flas për policin që është suspenduar nga puna për shkak të një komenti në rrjetet sociale, flas për atë të riun që është arrestuar për shkak të një veprimi të gabuar në botën online, flas për atë të moshuarin që informohet shumë por që në mbrëmje është i çorientuar, flas për atë gazetarin që po iu sfidohet puna dhe narrativa e të vërtetës, flas për ata të rinjtë e të reja që bota virtuale i ka tjetërsuar nga bota reale”- tha Jahiri.

Sipas Jahirit, Departamenti i Gazetarisë ka më tepër se një dekadë që kërkon përfshirjen e edukimit medial në kurrikulat shkollore.

“Ka më tepër se një dekadë që departamenti ynë kërkon që lënda e edukimit medial të përfshihet në kurrikulat shkollore por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim sepse për secilin përfaqësues të arsimit prioritet kanë qenë temat ditore dhe promovimi i tyre i shpejtë në rrjete sociale”- tha ai.

Rëndësinë e edukimit medial e theksoi edhe profesori i gazetarisë, Arben Fetoshi i cili ishte edhe mbikqyrës i këtij projekti.

Ai gjithashtu potencoi edhe rëndësinë që ka liria e shprehjes, teksa përmendi edhe rastin e sulmit fizik që u bë mbrëmë ndaj gazetarit Valon Syla.

“Liria e shprehjes është oksigjen i shoqërive demokratike e përballë rasteve si sulmi i mbrëmshëm i Valon Sylës. Ne s’duhet të mjaftohemi me dënim e solidarizim. Me Valonin mund të pajtohemi ose të mos pajtohemi por sulmi nuk guxon të tolerohet”- u shpreh Fetoshi i cili tha se edukimi për median është platforma për ta kapërcyer këtë dukuri.

“Institucionet duhet të përgjigjen me vendosmëri jo thjesht për hir të Valonit apo gazetarëve të tjerë por të mbrojtur kursin tonë demokratik. Ndërkaq, edukimi për median në esencë është platforma për ta kapërcyer këtë dukuri”- tha ai.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi i cili tha se kjo revistë përveç që e vë në pah kreativitetin, vullnetin dhe aftësinë në shkrim e hulumtim të studentëve, ajo gjithashtu trajton edhe një temë shumë të rëndësishme për shoqërinë.

“Universiteti i Prishtinës është madhështor dhe të tillë e bëjnë studentët si ju që kur synimet dhe angazhimin e përafrojnë me atë të profesorëve, e të njëjtat mbështeten edhe nga strukturat brenda institucionit, dalin të tilla rezultate si kjo punë që sot po e promovojmë” – tha rektori Qerimi.

FOTO: KALLXO.com

Në anën tjetër, Elsa Gecaj, studente e Departamentit të Gazetarisë në UP shpjegoi se angazhimi gjatë krijimit të kësaj reviste i ka ndihmuar ata si studentë të mësojnë më shumë rreth anës praktike të kësaj pune.

“Revista “INTRO” u bë vend ku ndamë pasionet dhe interesat e përbashkëta. Teksa punonim në revistë ne arritëm të fitojmë njohuri të veçanta sa i përket procesit të krijimit të një reviste”- tha Gecaj.