Foto:KALLXO.com

Paditë SLAPP duan ‘t’i heshtin’ gazetarët dhe aktivistët, kërkohet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor

Në Prishtinë është mbajtur një panel diskutimi për të adresuar vështirësitë që po hasin gazetarët dhe aktivistët në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm me paditë SLAPP të cilat po përdoren nga individë të fuqishëm financiarisht, grupe të caktuara e politikanë, gjoja për të heshtur, frikësuar dhe kërcënuar ata.

Viteve të fundit edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, gazetarët dhe aktivistët janë përballur me këtë lloj të padisë e cila ka qëllim ta heshtë kritikën, padi e cila po i lodhë ata nëpër dyer të gjykatave.

Përmes një paneli nga me tre përfaqësuese nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia të hënën në mbrëmje  u shtrua nevoja për dokumentim të këtyre rasteve, përkrahje më të madhe nga qeveritë e shteteve për aktivistët dhe gazetarët, bashkëpunim më të ngushtë lokal, rajonal dhe ndërkombëtar dhe në përgjithësi solidaritet.

Në kuadër të Iniciativës për Demokraci të Angazhuar, Fondi Evropian për Ballkanin dhe Instituti për Angazhim Demokratik të Evropës Juglindore ka organizuar këtë panel diskutimi: Një shuplakë për qytetarët e angazhuar? në mënyrë që të adresohet sa më shpejt kjo problematikë me të cilën po ndeshen gazetarët dhe aktivistët.

Paditë SLAPP, apo paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, ose proceset gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes publike, janë padi që synojnë të censurojnë, frikësojnë dhe mbyllin gojën kritikëve duke i ngarkuar ata me koston e një mbrojtjeje ligjore derisa ata të braktisin kauzën e tyre.

Flutura Kusari, juriste e drejtës së medias e cila është këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Mediave tha që paditë SLAPP po përdoren nga njerëzit e fuqishëm financiarisht dhe politikanët që të cenojnë lirinë e shprehjes dhe t’i mbyllin gojën gazetarëve dhe aktivistëve.

Sipas saj, para shumë vitesh për të mohuar lirinë e shprehjes janë vrarë gazetarët, ndërsa viteve të fundit paditë SLAPP janë bërë praktikë por që sipas saj nuk kanë arritur qëllimin e tyre.

Kusari potencoi që sipas të dhënave të Koalicionit Anti SLAPP në Evropë ka shumë raste që janë bërë padi SLAPP ndaj aktivistëve e me theks të veçantë gazetarëve, por këto të dhëna nuk përfshijnë të gjithë, pasi që shumë prej tyre kanë arritur të tregojnë publikisht.

“Ideja e padisë SLAPP përdoret nga njerëzit e fuqishëm financiarisht dhe nga politikanët. Nëse je kriminel ne kemi të drejtë që themi që je kriminel. Nëse je i korruptuar ne kemi të drejtë që themi që je i korruptuar, por normal gjithmonë bazuar në fakte,” tha Kusari.

Sipas saj, adresimi më i mirë i kësaj problematike është dokumentimi i padive SLAPP. Ajo thotë që kur takohen me zyrtarë të lartë, ata së pari kërkojnë dokumentim. Por, Kusari thotë që të dhënat janë shumë vështirë që të sigurohen për shkak se haset në vështirësi që të evidentohen.

Ajo thotë që kur bëhen paditë SLAPP zakonisht bëhet ndaj gazetarëve jo ndaj kompanisë mediatike, në mënyrë që ta heshtin gazetarin finaciarisht; duke vrapuar nëpër gjykata nëpër procese gjyqësore, e mos t’i lënë hapësirë të merren me hulumtime.

“Gazetarja e Koha.net, Saranda Ramaj ka 10 padi me dëme me vlerë rreth 1 milionë euro. Për shkak se ata i sulmojnë gazetarët individualisht dhe jo të gjithë median. Në vend që ajo te merret me storie investigative ajo duhet të merret me gjykata. Ky është qëllimi i tyre,” thotë ajo.

Ndërsa nga ana e aktivistëve përmendi rastin e aktivistëve të ambientit Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferri të cilët u paditën nga kompania austriake KELKOS, pasi që ata ngritën zërin e tyre kundër hidrocentraleve në Grykë të Deçanit, padi të cilat më pas kompania i ka tërhequr.

“Unë nuk e di që ka një hap për të adresuar SLAPP paditë në Kosovë dhe Shqipëri. Ne mund të flasim me njëri tjetrin dhe të pajtohemi me këto që po themi por kjo është përgjegjësi e shtetit, ne vec mund të iu ndihmojmë,” shtoi ajo.

Ndërsa, për situatën në Shqipëri, Xheni Karaj nga Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT në Tiranë tha që padia ndaj gazetarëve dhe aktivistëve është shndërruar në një fenomen gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri.

“Ju e shihni që kryeministri dhe ministrat thonë që përkrahin LGBT por kështu nuk i përkrahin shumë me vepra. Njëjtë është edhe në Kosovë,” tha ajo.

Sipas Karajt, është shumë e rrezikshme kur vetë Qeveria e arsyeton dhunën dhe urrejtjen por nuk gjen zgjidhje, tha ajo duke potencuar situatën e tensionuar me sulme fizike ndaj aktivistëve në EuroPride në Beograd, Serbi.

“Kur jemi sulmuar as Policia nuk ka reaguar derisa e ka parë sa serioze është situata,” shtoi ajo.

Karaj konsideron që qeveritë po i përdorin këto çështje ashtu si iu konvenon, por duke luajtur me kauzat e tyre.

“Nëse ata janë popullist në vendin e tyre kanë përkrahjen e njerëzve, por nëse janë të hapur me të jashtit, ndërkombëtarët, dhe kanë përkrahjen e tyre atëherë luajnë si një lojë ping-pongu me kauzën tonë dhe kjo nuk është e drejtë. Këto shpesh përdoren për popullizëm e pastaj në anën tjetër për t’u dukur mirë te ndërkombëtarët,’ tha ajo.

Karaj thekson që viteve të fundit po e merakosin grupet religjioze evangjeliste që janë me agjenda nga grupe religjioze në SHBA që sipas saj së bashku me mediat e kontrolluara po krijojnë narrativa të ndryshme linçuese. Sipas saj narrativa është krijuar nga mediat dhe pastaj është përdorur nga grupet e caktuara.

“Për sa kohë që ne nuk merremi me këtë çështje, do të jetë shumë e vështirë që ta zgjidhim këtë problem. Duhet shoqëria që të punoj me shoqërinë civile. është shumë e rëndësshmme ti japim fuqinë njerëzve tanë,” shtoi ajo.

Situatë e ngjashme përkshkruhet edhe nga panelistja nga Serbia, Tara Petroviq nga Iniciativa Qytetare në Beograd, e cila thotë që SLAPP paditë janë në rritje në Serbi si ndaj gazetarëve ashtu edhe ndaj aktivistëve.

Gjendjen në Serbi ajo e vlerëson si ‘epidemike’ nga aspekti i rritjes së numrit të këtyre padive, duke specifikuar raste si ndaj aktivistëve apo mediave hulumtuese si KRIK që ka rreth  10 SLAPP padi për shkak të hulumtimeve të tyre për korrupsion.

Petroviq thotë që kohëve të fundit ka asur raste të padive SLAPP nga kompanitë private ndaj gazetarëve.

Sipas saj, çka kanë parë është që përmes këtyre padive komapnitë e përdorin sistemin gjyqësor si armë kundër zërave kritik dhe gazetarët janë ata që janë më së shumti të targetuar.

“Një aktivist nga Novi Pazar ka rreth 15 SLAPP padi, disa penale e disa civile të ciat të gjitha janë i njëjti person që është ushtrues detyre i Spitalit në Novi Pazar. Kjo për shkak se gjatë pandemisë në Novi Pazar ka qenë numri i madh i vdekjeve dhe qytetarët kanë qenë të dëshpëruar se si autoritetet shëndetësore e kanë menaxhuar krizën. Ushtruesi i detyrës ka paditur me SLAPP padi secilin qytetar që ka folë publikisht, përfshirë edhe doktorë që kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e tij dhe një pacient që kishte postuar në Facebook për eksperiencën e tij në spital,” e shpalosi Petroviq një rast që ka përfunduar me padi SLAPP në Serbi.

Sipas saj, gjëja kryesore që mund të bëjë shoqëria është që është që t’i përkrahin gazëtarët dhe aktivistët, “që ta dinë që na kanë mbrapa gjithmonë.”

Me këta shembuj, panelistet demonstruan nevojën për lidhjen e nismave dhe lëvizjeve në rajon dhe për të ushqyer solidaritetin rajonal dhe shkëmbimin e përvojave ndërrajonale për të siguruar  një rrjet sigurie kundër institucioneve dhe zyrtarëve të korruptuar.