AGK kërkon nga gjyqësori e prokuroria që t’i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit i është drejtuar me një shkresë prokurorëve dhe gjyqtarëve, në të cilën ka shprehur shqetësim për trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se në pesë vjetët e fundit janë regjistruar 120 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëave dhe punonjësve të mediave, 33 prej tyre vitin e kaluar përderisa në këtë vit janë regjistruar 11 raste..

“Në pesë vitet e fundit, AGK-ja ka regjistruar 120 raste kërcënimesh, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Gjithsej, 17 raste janë regjistruar në vitin 2018, 21 raste në vitin 2019, 24 raste në vitin 2020, 29 raste në vitin 2021 dhe 33 raste gjatë vitit 2022. Vetëm këtë vit deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh, me më të rëndin atë fizik kundër gazetarit Valon Syla. Kështu, numri i rasteve të kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur vit pas viti”- ka thënë ai.

Rexha deklaroi se sulmet ndaj gazetarëve cenojnë lirinë e shprehjes dhe se rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent nga ana e sistemit të drejtësisë.

“Sulmet ndaj gazetarëve, pos që paraqesin vepra penale kundër jetës dhe trupit, ato cenojnë edhe një prej lirive bazë në një shoqëri demokratike, që është liria e shprehjes. Duke mos minimizuar rrezikun e asnjë vepre penale, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve kanë një rrezikshmëri të veçantë, që përpos në palën e dëmtuar, e vënë në rrezik edhe lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e informimit të qytetarëve. Rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent dhe adekuat nga ana e sistemit të drejtësisë” – thekson Rexha.

Kryetari i bordit të AGK-së ka kërkuar nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura, kurse nga gjyqtarët Rexha ka kërkuar që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve.

“Ne kërkojmë nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura dhe akuzat ndaj sulmueseve të gazetarëve t’i përpilojnë duke marrë parasysh jo vetëm rrethanat lehtësuese por edhe ato rënduese me qellim të dekurajimit të sulmeve ndaj gazetarëve. Nga gjyqtarët kërkojmë që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve e jo të shqiptohen dënime të lehta” – është shprehur Rexha.

Më tej, Rexha tha se AGK shpreh gatishmërinë për çfarëdo forme të bashkëpunimit e cila ka për qëllim sigurinë e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të lirë medial.