Osmani: Çdo varr në Reçak ka një histori tmerri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se krimet e kryera në Reçak, 24 vite më parë i dëshmuan botës tragjedinë të cilën po e përjetonin shqiptarët në kohën e regjimit serb.

Këtë Osmani e tha në ceremoninë e cila u mbajt sot për shënimin e 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut ku u 45 shqiptarë civilë në mesin e tyre, fëmijë gra e të moshuar.

“… të mos harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri. Secili prej tyre dëshmon për tmerrin e përgjithshëm që e përjetuan shqiptarët për shkak të hegjemonisë së një regjimi vrastar e diktatorial”- tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se 45 të masakruarit në Reçak do të vriteshin për së dyti nga propaganda e asaj kohe e udhëhequr nga Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët e mohuan krimin por që sikurse shefi i verifikuesve të OSBE-së, Ambasadori Walker të mos dilte në vendin e ngjarjes.

“Kodra e Bebushit, siç njihet nga banorët lokalë, por edhe i gjithë Reçaku, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Por, të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti, nga proparaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, të cilën asokohe e udhëhiqte Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sikur shefi i verifikuesve të OSBE-së, Ambasadori Walker, i cili doli në vendngjarje, të mos kishte lëshuar kushtrimin gjithandej botës pa asnjë hezitim të vetëm, duke e cilësuar me të drejtë këtë ngjarje si një krim të rëndë kundër njerëzimit”- tha ndër të tjera Osmani.

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar një propozim-vendim për ndarjen prej 70 mijë euro për librin “Reçaku”, i shkruar nga ish0ambasadori William Walker.