OSBE reagon ndaj vendimit për dinarin serb dhe mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë ka reaguar rreth vendimeve dhe veprimeve të autoriteteve kosovare lidhur me çështjen e dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë.

OSBE ka bërë thirrje që të respektohen të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe që komunikimi publik të bëhet në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës.

Misioni thotë se me vëmendje ka përcjellë vendimet dhe aksionet e autoriteteve të Kosovës, përfshirë Rregulloren e BQK-së që ndalon transaksionet me dinarë serbë.

“Misioni është i shqetësuar që kjo Rregullore do ketë ndikim serioz, sidomos për banorët që pranojnë pagesa në dinarë” – thuhet në komunikatën e OSBE-së.

Në komunikatë thuhet se duhet të respektohen të drejtat e komunitetit serb dhe të ketë konsultime me personat e prekur.

Ky Mision thotë se ka ndjekur edhe aktivitetet e Policisë ndaj zyreve të institucioneve serbe në komunat e Kosovës si dhe tek OJQ “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Mbyllja e papritur e objekteve që u kanë ofruar shërbime shëndetësore dhe sociale anëtarëve të komuniteteve joshumicë rrezikon të shkaktojë ndikim negativ tek individët dhe familjet duke kufizuar qasjen e tyre në disa shërbime thelbësore” – thuhet në komunikatë.