Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Haskuka apelon për votimin e buxhetit, paralajmëron për mundësinë e shpërndarjes së Asamblesë

Nesër pritet që Asambleja Komunale e Prizrenit të mblidhet sërish për votim të buxhetit 50 milionësh për vitin 2020.

Mbledhja e rregullt e datës 25 shtator kishte dështuar të mbahet pasi që nga mbledhja ishin larguar opozita e përbërë nga PDK dhe AAK.

Për vitin 2020, Komuna e Prizrenit ka planifikuar të ketë buxhet prej 50 milionë euro, dhe për këtë ka mbajtur pesë dëgjime publike në Gjonaj, Zhur, Reçan, Korishë dhe më 23 gusht dëgjimi publik ishte përmbyllur në sallën e Kuvendit në Prizren.

Mytaher Haskuka nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në Facebook u ka bërë thirrje asamblistëve që të votohet buxheti për vitin 2020, përndryshe, sipas tij, do të dëmtohen qytetarët e komunës së Prizrenit me 3 milionë euro.

Haskuka ka përmendur edhe mundësinë e shpërndarjes së Asamblesë Komunale dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme vetëm për Asamblenë.

“Sipas ligjit, kur asambleja komunale është jofunksionale qeveria mund ta shpërbëjë dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme për asamblenë”, ka përkujtuar ai.

Buxheti i Prizrenit pritet të diskutohet por pa drejtor të Financave pasi që ish-drejtori Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, e deri më sot Haskuka ende nuk ka emëruar drejtorin e ri.

Postimi i plotë i Haskukës në llogarinë e tij në Facebook:

“Nesër do të mbahet mbledhja e Asamblesë Komunale, ku në rend dite do të jetë edhe Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2020.

Ky buxhet është përpiluar me konsultim të gjërë publik ku janë mbajtur 8 dëgjime publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) e cila u votua në korrik dhe u miratua nga Ministria e Finacave.

Në bazë të KAB-it, është përpiluar propozim buxheti për vitin 2020, për të cilin po ashtu janë mbajtur edhe 5 dëgjime publike në të gjitha rajonet e komunës së Prizrenit, specifikisht në Zhur, Gjonaj, Korishë, Reçanë dhe në Prizren, ku nga kërkesat e parashtruara nga qytetarët është përpiluar buxheti.

Pra, në total për këtë buxhet janë mbajtur 13 dëgjime publike, prandaj kritikat që nuk ka pas konsultime për buxhet nuk janë të sinqerta dhe janë politike.

Nëse asamblistët nuk e votojnë këtë buxhet, kjo do t’i dëmtojë qytetarët e komunës së Prizrenit me 3 milionë euro.

Në të kaluarën Prizreni nuk ka marrë trajtim të duhur nga qeveritë dhe ka qenë i diskriminuar në shumë aspekte. Si shembull, investimet nga Ministria e Infrasturkturës në vitin 2019 kanë qenë më të ulëta për Prizrenin me vetëm 9 euro për kokë banori, derisa në Gjakovë investimet nga kjo ministri kanë shkuar deri në 150 euro për kokë banori.

Kjo nuk mund të vazhdojë, prandaj kërkoj nga asamblistët që të votojnë buxhetin dhe mos ta dëmtojnë Prizrenin. Sipas ligjit, kur asambleja komunale është jofunksionale qeveria mund ta shpërbëjë dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme për asamblenë.”