Flet kuvendari i PDK-së në Prizren: Unë u sulmova dhe kam marrë lëndime trupore

Anëtari i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Getoar Besimi, ka rrëfyer për KALLXO.com se çfarë ka ndodhur në incidentin e sotëm, gjatë të cilit, sipas kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, Besimi ka sulmuar zyrtarin e Prokurimit, Nezir Rexhepin.

Getoar Besimi thotë se nuk e ka sulmuar zyrtarin e Prokurimit të Komunës, por është e kundërta. Ai pretendon se është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar lëndime trupore.

“Ju njoftoj se sot jam sulmuar fizikisht nga zyrtari i Prokurimit të Komunës së Prizrenit z. Nezir Rexhepi, kundër të cilit ditë më parë është paraqitur një kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga familjarët e mi. Në këtë rast kam pësuar lëndime të lehta trupore dhe rastin e kam paraqitur në Polici, e që shpresoj se drejtësia ta thotë fjalën e vetë shpejt”, tha Getoar Besimi për KALLXO.com.

Tutje ai tregon kryetari Haskuka ka akuzuar atë pa pasur një raport zyrtar.

“Është për keqardhje se si kryetari i Komunës pa pasur asnjë raport zyrtar jep konstatime të pavërteta se gjoja unë kam sulmuar zyrtarin e Prokurimit për çështje që lidhen me tenderët e kësaj Komune. Unë personalisht dhe familja ime jemi të përkushtuar që keqpërdorimeve me tenderë në Komunën e Prizrenit t’i japim përgjigje të merituar ligjore. Kundër kryetarit Haskuka do të shqyrtojë mundësinë e padisë civile për shpifje pas konsultimit me avokatin”, tha tutje për KALLXO.com Getoar Besimi.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka para disa minutave ka njoftuar se zyrtari i Prokurimit, Nezir Rexhepi, është sulmuar nga Getoar Besimi.

Ai fajin për sulmin ia hedh kuvendarit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimit.

“Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit”, ka njoftuar Haskuka.

Haskuka: Zyrtari i Prokurimit u sulmua nga kuvendari i PDK-së