Ushtari ukrainas, Foto: Presidenca e Ukrainës

OKB: Të paktën 25 civilë janë vrarë dhe 102 janë plagosur në Ukrainë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), ka marrë informacione për të paktën 127 viktima civile në Ukrainë.

Sipas Sky News, këtu përfshihen 25 persona të vrarë dhe 102 të plagosur nga bombardimet dhe sulmet ajrore.

Por, sipas OKB-së, numri i raportuar ka mundësi të ketë një nënvlerësim dhe numri real mund të jetë shumë më i lartë.

Kurse, Ukraina ka thënë se 137 persona janë vrarë – si ushtarë ashtu edhe civilë.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “që ta përballojë agresionin rus”.

Sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.