Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

OJQ-të kërkojnë miratimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike

Organizatat joqeveritare në Kosovë i janë drejtuar me një letër publike anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare përmes të cilës kanë kërkuar shqyrtimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike në seancën e ardhshme plenare.

Përmes kësaj letre kanë shprehur keqardhje për dështimin e shqyrtimit dhe miratimit në parim të këtij projektligji në seancën plenare të mbajtur të martën, më 22 shkurt 2022.

Organizatat kanë kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit dhe të vendoset si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.

“Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve”, thuhet në letrën e tyre.

Democracy Plus (D+), Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova (KDI), Democracy for Development (D4D), Lëvizja FOL dhe Organizata Çohu / Preportr janë organizatat joqeveritare që janë drejtuar me këtë letër.

Sipas tyre zvarritja e mëtutjeshme e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre.

“Zvarritja e mëtutjeshme e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji, i cili është obligim në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA) si dhe është në përputhje me rekomandimet e shoqërisë civile dhe opinionin e Komisionit të Venedikut, është e paarsyeshme dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre.”, thuhet në reagimin e tyre.

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të mbajtur me datë 22 shkurt(e martë) nuk ka pasur kuorum për të miratuar në parim Projektligjin nr.08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256.

Të martën Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se votimi i këtij ligji mbetet të trajtohet në seancën e ardhshme.

Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike, dhe organizime tjera të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, hyrja në fuqi e këtij ligji nënkupton edhe një kontroll më të fortë i institucioneve përkatëse kompetente ndaj subjekteve politike, si në procesin e financimit të tyre, e poashtu edhe auditimit të raporteve financiare nga auditorët profesional të cilët do të përzgjedhin në pajtim me dispozitat e këtij ligji, si dhe publikimit të atyre raporteve në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe i hapur.