Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Obiliqi plot deponi ilegale mbeturinash por vetëm me 4 gjoba për ndotje të ambientit

Obiliqi është një nga qytetet më të ndotura në Kosovë. Shkak për këtë është tymi që lëshohet nga termo-elektranat e KEK-ut, deponia e Mirashit, por edhe dhjetëra deponi të tjera ilegale nëpër pjesë të ndryshme të komunës.

Mirëpo, inspektorët e Obiliqit kanë shqiptuar vetëm 4 gjoba për ndotje të ambientit.

“Sa i përket gjobave për hedhje të mbeturinave në territorin e komunës së Obiliqit i shqipton DMM-ja, nga të dhënat nga kjo Drejtori deri më tani janë shqiptuar katër gjoba për hedhje të mbeturinave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Obiliqit.

Mirëpo, kryetari Xhafer Gashi në debatin “Jeta në Komunë” nuk i ka besuar Zyrës për Informim. Sipas tij, ka shumë më shumë gjoba sesa 4.

“Nuk po e di saktë, por janë diku rreth 40 gjoba. Nuk mund të jenë 4. Mund të jetë gabim. Unë besoj që janë më shumë se 4”, tha Gashi në “Jeta në Komunë”.

Komuna e Skenderajt, një komunë e ngjashme për nga madhësia me atë Obiliqit i ka shqiptuar 40 gjoba për ndotje të ambientit.

Në Obiliq, të gjitha ujërat e zeza derdhen në lumenjtë Llap dhe Sitnica.

Kryetari Xhafer Gashi në debat “Jeta në Komunë” tha se janë duke pritur për fillimin e projektit 170 milionësh për ndërtimin e impianteve për ujërat e zeza.

“S’po guxoj me të dhanë datë për impiant, sepse unë po të jap data e s’po kryhet. Është duke e bërë një studim i fizibilitetit për Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Është projekt 170 milionësh dhe ne po presim”, tha Gashi.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Aziz Bici nga Vetëvendosje dhe Nazmi Gashi nga Nisma Socialdemokrate si dhe nga pozita – kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri.