Nuk iu lejua kandidatura për kryetar të LDK-së, flet Faton Bislimi - VIDEO

Faton Bislimi nga LDK-ja të cilit s’iu lejua kandidimi për kryetar partisë në Kuvendin e sotëm zgjedhor të LDK-së, tha se vendimi ndaj tij është anti-statutar.

“Vendimi i sotëm për të mos lejuar kandidaturën është anti-statutar, sipas vlerësimit tim”, por sipas tij, “kjo nuk do të thotë që e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës.”

“Unë e kam shpreh kandidaturën time qysh të hënën e kaluar përmes një shkrese zyrtare të dërguar në LDK dhe në bazë të neneve specifike që i kam cekë aty dhe statutit të LDK-së. Vlerësoj dhe besoj se nuk ka akt më të madh juridik e ligjor për organizimin e brendshëm të një partie politike sesa statuti i saj”- tha ai.

Ai shtoi se sikur programi i tij të paraqitej para delegatëve, do të tregonte për demokraci brenda LDK-së.

“Programi im për LDK-në,  që është dashur sot t’i paraqitet delegatëve të Kuvendit do të ishte mënyra më e mirë për të kallxu LDK-ja se demokracia e brendshme është vyrtyt, është aset dhe është themel mbi të cilin ndërtohet një parti politike. Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, nuk ka rugovizëm më të madh sesa ofrimi i mundësive, sesa inkluziviteti, jo anashkalimi, jo përjashtimi dhe në asnjë nëyrë jo kuvende të cilat konfirmojnë, por nuk zgjedhin. Zgjedhja vetëvetiu nënkupton ballafaqim”- tha ai.

Sipas tij, festa e LDK-së do të ishte shumë më madhështore sot, “sikur në këtë Kuvend do të debatonim edhe unë, edhe z. Abdixhiku edhe secili tjetër”.

Kuvendi zgjedhor i LDK-së ka zgjedhur kryetar të partisë, Lumir Abdixhikun, për një mandat 4-vjeçar.

Abdixhiku mori votat unanime të delegatëve.

Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku tha se do të ushtroj këtë detyrë me sjellje rugoviste.