Nuk formohet komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, opozita lëshon sallën e Kuvendit
Me 23 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk e ka formuar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përkrahën formimin e këtij Komisioni që do të hetonte Qeverinë për menaxhimin e krizës me rrymën.
Ky propozim erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Kryetari i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kjo është hera e parë që më votë refuzohet një komision hetimor parlamentar.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që deputetët me votën e tyre të refuzojnë të hidhet dritë mbi zhvillimet mbi keqpërdorimet për një çështje të caktuar, për energjinë elektrike, keq menaxhimin e situatës, vjedhjen e taksave të qytetarëve, Konsiderojmë që kjo çështje nuk mbyllet sot këtu. Ne kemi mundësinë që ta procedojmë formimin e këtij komisioni hetimor me 4o nënshkrime pa pas nevojë të vihet në Kuvend”, tha ai.
Tutje Tahiri tha se PDK në shenjë proteste lëshon sallën.
“Konsiderojmë që më tutje nuk do të vazhdojmë punimet e kësaj seance. Kjo çka ndodhi sot është e turpshme sepse çdo qytetarë ka të drejtë të tij çka ka ndodhë gjatë kësaj kohe”, tha ai.
Pak momente pas kësaj deklarate, deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK lëshuan sallën e Kuvendit, në seancë mbetën vetëm deputetët e AAK-së, Time Kadriaj, Albena Reshitaj dhe Shemsedin Dreshaj.
Kuvendi diskuton formimin e një komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike