Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nora Visoka Weller takon disa nga të mbijetuarit që i kishte incizuar pas betejës së Prekazit

Nora Visoka Weller në një rrëfim ekskluziv në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar për ato që kishte parë në Prekaz, e më pas edhe në Mitrovicë, bashkë me gazetarë të huaj për të cilët punonte si përkthyese, në ditët që kishin pasuar sulmin e forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz.

Në “Kallxo Përnime” ajo ka treguar video-incizime që i kishte bërë vetë nga zona e luftës e në të cilat shiheshin qytetarë të Prekazit, të cilët i kishin shpëtuar asaj që kishte ndodhur më 5, 6 e 7 mars 1998.

Sipas saj, më 6 mars 1998 bashkë me gazetarë të huaj është nisur për në Drenicë, një ditë pas sulmit mbi familjen Jashari.

“Menjëherë, shkoj takohem me gazetarët edhe nisemi për në Drenicë. Në postblloqe nuk na kanë ndaluar, sepse qëllimi i tyre ishte me i tregu botës se po i luftojnë ‘terroristët’. Edhe vazhdojmë tutje, arrijmë në lagjen Jashari, ende kishte tym dhe shihej që aty ka pasur luftë. Pasi i kanë vrarë njerëzit, janë siguruar që të shkatërrojnë të gjithë lagjen”, ka treguar Nora Visoka Weller.

Tutje, ajo ka rrëfyer se si në njërën dhomë ka gjetur shumë fotografi të shpërndara, të cilat i ka marrë me vete e më vonë i ka dorëzuar te një pjesë e një familjeje që kanë mbijetuar.

Rrëfimi i Nora Visoka Weller në “Kallxo Përnime” ka ndodhur më 9 qershor.

E sot ajo ka publikuar foto me disa prej personave që i kishte incizuar.

“Pas intervistes tek Jeta ndodhi nje takim shume domethenes dhe i bukur ne Prekaz! Ketu ne foto shihen  disa nga te mbijetuarit qe i kisha filmuar ne Mars 1998. Ata femijet e vegjel dhe te trembur ishin rrite, kry fakultetin dhe jetonin jete te rendomte ne Prekaz. Cfare dite e bukur ishte, do ta mbaj ne kujtese shume kohe!”, ka shkruar ajo në Facebook.