Seanca 22.02.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto:Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Njëri nga të akuzuarit për manipulim me vota në zgjedhjet e 2019-tës deklarohet se është pjesëtar i FSK-së

Gazmend Veliu, Islam Syla, Ardit Beqiri, Meriton Gashi dhe Bajram Kastrati, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për falsifikim të rezultateve të votimit në vendvotimin në shkollën fillore “Azem Bejta” në fshatin Shtuticë të Drenasit më 06.10.2019.

Para gjyqtarit Gazmend Bahtiri të gjithë të akuzuarit në fjalë nuk e pranuan fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë, në seancën fillestare të së enjtes të mbajtur më 22.02.2024.

Në këtë seancë i akuzuari Bajram Kastrati deklaroi se është pjesë e FSK-së kur u pyet nga gjyqtari se a punon diçka.

KALLXO.com ka dërguar pyetje FSK-së për të konfirmuar nëse i njëjti është pjesë e këtij institucioni dhe se a janë dijeni se ai akuzohet për rastin në fjalë, dhe deri në momentin e publikimi të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Dosja e Prokurorisë thotë se Gazmend Veliu duke qenë kryesues i Këshillit të vendvotimit ndërsa të akuzuarit tjerë anëtarë të këtij Këshilli kanë manipuluar me 91 vota për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Kanë falsifikuar rezultatet e votimit, kanë manipuluar me 91 vota prej tyre 63 të shtuara të subjekteve politike dhe atë PDK 60, AAK 1, VV 1 votë, ndërsa u kanë hequr 28 vota dhe atë PDK 24, AAK 1, VV 1, LDK 2, dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes të të dhënave dhe rezultateve” – përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

Me këto veprime, sipas prokurorisë është dëmtuar KQZ-ja.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 30.11.2022 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Prishtinës.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve sipas udhëzimit të gjyqtarit Gazmend Bahtiri kanë afat prej 15 ditësh të bëjnë kundërshtimin e provave dhe aktakuzës.