Ilustrim

Një kosovar dyshohet për vrasjen e një 26-vjeçareje në Itali

Mediat italiane raportojnë se një kosovar rreth të 40-tave është i dyshuari kryesor për vrasjen me thikë të një 26-vjeçareje në Itali. Ai po kërkohet nga autoritetet italiane.

Sipas gazetës italiane “Corriere Del Veneto”, viktima ishte shtatzënë. Ajo punonte si arkëtare në një supermarket.

Sipas raportimeve të mediave italiane, trupi i viktimës u gjet nga bashkëshorti i saj, ndërsa djali i tyre ishte në kopsht kur ndodhi ngjarja.

“Vanessa Ballan u plagos për vdekje e me thikë brenda shtëpisë së saj. I dyshuari kryesor është Bujar Fandaj, 41 vjeç me origjinë kosovare, banues në komunën e afërt të Altivole (Treviso)” – shkruan më tej gazeta italiane.

Sipas raportimit të gazetës tjetër italiane, “Today”, i dyshuari ka qenë klient në supermarketin ku ka punuar viktima, dhe se ajo e ka njohur atë dhe e ka raportuar për ndjekje në të kaluarën.

“Sulmi ka qenë i papritur dhe e ka goditur vajzën me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas sulmuesi e la atë në hyrje të shtëpisë në një pellg gjaku dhe u largua me vrap” – shkruan “Today”.