Majlinda Kelmendi vazhdon të mbajë rekordin botëror Guiness

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi mban përsëri primatin në librin “Judo Legends” të Federatës Botërore të Xhudos si personalitet që ka arritur rekordin Guiness në periudhën 7 maj 2010 deri më 2019 për medaljet arta të fituara gjatë dhjetë vjetëve.

“Xhudistja kosovare mban rekordin e pabesueshëm në botën e xhudos”- është fraza me të cilat është përshkruar Kelmendi nga botimi i Federatës Botërore e Xhudos.

Rezultatet e Majlindës filluan prej vitit 2009 së pari si juniore duke marrë këtë titull në Evropë dhe botë, pastaj filloi të tregojë rezultate si seniore.

Në vitin 2013 fiton medaljen e bronztë evropiane ndërsa në vitin 2014 për herë të parë fiton medaljen e artë botërore.

Pas anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Majlinda solli shumë medalje nga gara të ndryshme botërore e evropiane për vite radhazi.

Në shkurt të vitit 2016, ajo fitoi të artën e tretë me radhë në Grand Slam-in e Parisit, që e kishte fituar edhe radhazi dy vite më parë, dhe dy muaj më vonë triumfoi edhe në Kampionatin Evropian të Xhudos 2016, që shënon një ngjarje të madhe në historinë e Kosovës. 4 muaj më vonë e 5 vite më parë nga sot, ajo shënoi goditjen më të madhë të karrierës së saj.

Në Rio, nën lot, Majlinda Kelmendi pranoi medaljen e artë.

Ajo po ashtu ishte flamurmbajtësja e ekipit olimpik të Kosovës në pjesëmarrjen e parë ndonjëherë në këto lojëra.

Ajo ka fituar edhe dy medalje të bronzta po këtë vit në garën “2021 World Judo Maters” në Doha të Katarit dhe “2021 Judo Grand Slam” në Tel Aviv të Izraelit.

Majlinda në Lojërat Olimpike Tokio 2020 të mbajtura këtë vit, që doli të jetë gara e saj e fundit në karrierë, u mposht në raundin e parë, disfatë që u la nën hije nga triumfet e pasueseve të saj në këtë sport, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Ajo përfundoi karrierën prej xhudistes duke qenë flamurmbajtësja e ekipit olimpik të Kosovës për të dytën herë, në pjesëmarrjen e dytë të Kosovës në lojëra Olimpike.

Së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka, Majlinda Kelmendi në karrierën e saj ka triumfuar 22 herë në Kupa Botërore, me 10 medalje në Grand Prix, 7 në Grand Slam, 1 në Masters, dhe 4 në European Open

Kabineti qeveritar në vitin 2021 ka marrë vendim që xhudistes Majlinda Kelmendi t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçantë për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën vendore dhe ndërkombëtare.