Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

Nis numërimi i 1806 pakove me fletëvotime nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i 1806 pakove me fletëvotime nga diaspora, pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se pas vlerësimit janë 2449 fletëvotime të individualizuara, e që prej tyre 2039 janë aprovuar kurse 410 janë refuzuar.

Ai tha se numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike pritet që të përmbyllet brenda një orë e gjysmë.

“Janë 1806 pako të supozuara me fletëvotime të cilat janë vlerësuar dhe në fund kemi pasur 2449 pako me fletëvotime të individualizuara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 2039 pako me fletëvotimet të individualizuara ndërkaq janë refuzuar 410. Pra, procesit të numërimit në QNR i nënshtrohen pjesa e pakove të aprovuara që janë 2039”, tha Elezi në një konferencë për media, të martën.

Ndërkaq, sa i përket se kur pritet që të shpallen rezultatet përfundimtare, Elezi tha se duhet fillimisht konfirmim nga dy institucione.

“Sa i përket rezultateve përfundimtare gjatë ditës së nesërme KQZ-ja do të kërkoj konfirmime nga të dy institucionet siç është nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) dhe nga Gjykata Supreme se nëse nuk ka ndonjë çështje për të vendosur në mënyrë që të procedojmë në shpalljen e rezultateve përfundimtare. Besoj që gjatë ditës së nesërme do të kemi komunikime, dhe do të kemi më të qartë situatën”, deklaroi ai.

KALLXO.com ka raportuar sot se Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për numërimin e votave të diasporës të cilat kanë mbërritur me vonesë në KQZ.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Gjykata Supreme e ka miratuar si të bazuar ankesën e VV-së që të ndryshohet vendimi i PZAP-së, dhe të detyrohet KQZ-ja që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 1806 pakove me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Gjykata Supreme urdhëron numërimin e votave të diasporës

www.kallxo.com