Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

Supremja vendos për numërimin e 1806 pakove nga diaspora

Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për numërimin e votave të diasporës të cilat kanë mbërritur me vonesë në KQZ.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Gjykata Supreme e ka miratuar si të bazuar ankesën e VV-së që të ndryshohet vendimi i PZAP-së, dhe të detyrohet KQZ-ja që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 1806 pakove me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Edhe anëtarja e VV-së në KQZ, Nazlie Bala përmes një postimi në Facebook e ka konfirmuar vendimin e Supremes.

“Sapo na erdhi lajmi i mirë: Gjykata Supreme e miratoi ankesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të numëruar edhe 1806 pakot e fundit me fletëvotime nga mërgata. Mërgata”, ka shkruar Bala në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në Gjykatën Supreme për mosnumërimin e votave nga diaspora pasi KQZ-ja kishte refuzura t’i numërojë votat për disa arsye.

KQZ-ja përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se arsyet e refuzimit të tyre kategorizoheshin në 5 grupe si në vijim:  535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës; 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjisturar si votues jashtë Kosovës; 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar; 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar.

Gjykata Supreme urdhëron numërimin e votave të diasporës