Foto: Facebook/ CEL Kosovo

Nis në Prishtinë ‘Java e Krenarisë’

Është hapur sot zyrtarisht “Java e Krenarisë” në Kosovë për herë të tretë me moton “Për kon t’rreh zemra”.

Ky organizim do të zgjasë katër ditë dhe përfundon të enjten.

“Java e Krenarisë” do të adresojë çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, e cila vazhdon të mos i trajtojë personat LGBTI si të barabartë.

“Këtë vit, na rreh zemra për drejtësi. Na rreh zemra të kemi lirinë të jemi vetvetja dhe të shprehemi lirshëm. Na rreh zemra që të kemi siguri në rrugë, shkollë e institucione shtetërore. Për një shtëpi të sigurt në të cilën trajtohemi me dinjitetin që e meritojmë. Na rreh zemra për dashni. Na rreh zemra për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të paradës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me rastin e hapjes së “Javës së Krenarisë” tha se komunitetit LGTBI ka ende shumë arsye për të luftuar për drejtësi, barazi dhe të drejtat e njeriut.

“Beteja për të drejtat e njeriut dhe lirive individuale, ashtu siç janë definuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ende nuk ka përfunduar. Demokracia e bazuar në pushtetin e shumicës është e rëndësishme, por liria definohet me atë se sa e mbrojmë pakicën”, shtoi Thaçi.

Ai gjithashtu u shpreh se ky komunitet ka të drejtë të jetë krenar me këmbënguljen që të kërkojë të drejtat që i takojnë.

“Java e Krenarisë” përfundon më 10 tetor me ecjen nga ora 11:30  që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”  dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke u përmbyllur me një koncert.

Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të shumta në ditët në vazhdim.