Ngjarja e rëndë në Spitalin e Pejës, lirohet nga detyra u.d. kryeinspektori i Shëndetësisë

Shaban Osmanaj është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, pas rastit në të cilin dyshohet se foshnja e lindur pa shenja jete u fut në rrobalarese në Spitalin e Përgjithshëm të Pejë.

Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

Sipas MSH-së, në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.

Sepse siç thonë nga ky institucion, konkretisht ka munguar “komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”.

“Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale” – thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një foshnje e lindur pa shenja jete javën e kaluar në  Spitalin e Përgjithshëm të Pejës po dyshohet se është futur në rrobalarëse.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Prokuroria e Pejës.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë disiplinore.

Në një njoftim në Facbook, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka thënë se rasti është duke u trajtuar edhe nga organet e drejtësisë edhe nga organet menaxheriale të Spitalit.

“Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”- bënë të ditur Spitali i Pejës.