FOTO: SPITALI I PERGJITHSHEM I PEJES

Dyshimet se foshnja e lindur pa shenja jete u fut në rrobalarëse, deklarohen nga Spitali i Pejës

Një foshnje e lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Pejës po dyshohet se është futur në rrobalarëse.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Prokuroria e Pejës.

Për rastin është deklaruar edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

Përmes një postimi në Facebook, Spitali ka njoftuar se hetimet nga organet e hetuesisë dhe Inspektorati i Shëndetësisë janë duke hetuar mënyrën se si është ruajtur fetesi i vdekur.

“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e fetuesit të vdekur tek familjarët”- bën të ditur Spitali.

Ndërkaq në lidhje me dyshimet për futjen në rrobalarëse të foshnjës së lindur pa shenja jete janë suspenduar shtatë persona,.

“Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”- thekson Spitali i Përgjithshëm i Pejës.