Nga nesër hyn në fuqi vendimi për targat në Kosovë

Nesër do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’iu mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Për t’u kryer kjo punë, pronarët e këtyre veturave kanë në dispozicion dy muaj, nga nesër e deri më 31 tetor.

Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, vendimi i shty për një muaj.

Një rrugëtim të njëjtë si vendimi për targa ka pasur edhe vendimi për dokumente hyrje/dalje që do të lëshonte Republika e Kosovës për qytetarët serbë që do të hynin në vend, ashtu siç i lëshonte Serbia për qytetarët e Kosovës.

Më 31 korrik, serbët lokalë të veriut të Kosovës kishin filluar që të vendosnin në rrugët që të çonin në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës bënë që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, kishte ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022.

Mirëpo, për vendimin për dokumentet për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje që të njihen letërnjoftime e njëra tjetrës dhe të mos lëshohen dokumente për hyrje/dalje.

Më 27 gusht 2022, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi për marrëveshjen e arritur.

Ai kishte njoftuar se pas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.

Borell kishte shtuar se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.