Ushtria shqiptare në Tiranë – Foto: Gent Shkullaku/LSA

Nëntë raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, numri shkon në 548

Numri total i personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri ka arritur në 548 pas shtimit të 9 rasteve gjatë 24 orëve të fundit.

Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri të ditur gjatë konferencës për shtyp të së shtunës se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka pasur një rritje me 9 raste të infektuara me koronavirusin e ri SARS-CoV-2.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 9 raste pozitive me COVID-19,” tha Rakacolii.

“Nga rastet e reja 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier,” shtoi ajo.

Sipas Minisitrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit 19 pacientë janë shëruar nga COVID-19, duke e çuar numrin total në 302 nga 548 raste të identifikuara gjithësej.

Deri të shtunën në Shqipëri janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 548 raste – rreth 10% e të gjithë të testuarve

Aktualisht në shërbimin Infektiv në QSUT janë 35 të shtruar, nga të cilët 7 janë në terapi intensive. Ndërkohë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavijon.