Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas një njoftimi për media, qëllimi është zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Mbrojtja, promovimi dhe avancimi i sistemit të përgjithshëm të menaxhimit të trashëgimisë kulturore përveç qëllimit themelor pra si vlerë e rëndësisë së veçantë kulturore, historike, shoqërore e shpirtërore, duhet të shërbejë edhe si mjet për promovim e mobilizim të të gjitha resurseve që ka kjo fushë në funksion të ngritjes së prosperitetit ekonomik”, thuhet më tej.

Sipas MKRS-së, menjanimi i degradimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, restaurimi dhe rijetësimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore dhe duke u bazuar në principet dhe parimet e konventave ndërkombëtare është një nga qëllimet.

“Për të arritur drejt avancimit të këtyre synimeve është i nevojshëm bashkëpunim e bashkërendim i aktiviteteve ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thuhet më tej.

MKRS ka theksuar se krahas masave tjera të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, ngritja e kapaciteteve profesionale me theks të veçantë mbështetja e gjeneratave të reja për zhvillim të aftësive dhe kapacitetit profesional është objektivë e cila mbështetë gjithë mozaikun e procesit të integruar të mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore.