Ilustrim

Kaçaniku anulon tenderin për dekorimin e qytetit për fundvit

Komuna e Kaçanikut e ka anuluar tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit për të cilin kishte parashikuar rreth 10 mijë euro. Kjo ka ndodhur për shkak se kompania e vetme e cila kishte ofertuar kishte dorëzuar ofertë shumë më të shtrenjtë se vlera e parashikuar.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Kaçanik, Ramadush Osmani, ka thënë për KALLXO.com se kompania që kishte ofertuar kishte ofertë “marramendëse”.

“Unë e kam paraqit me 16 nëntor dekorimin e qytetit si kërkesë tash vlera e parashikuar ka qenë diku 9 mijë e 900 euro me buxhet qysh kemi planifikuar tash ka qenë veç një ofertë dhe ka qenë mbi vlerën e buxhetit. Kështu që me rregulla të prokurimit kjo anulohet” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Drejtori Osmani ka shtuar se ai ka bërë kërkesë për ritenderim dhe brenda 10 dite i presin ofertat e reja.

Tutje, ai ka treguar se në bazë të analizave që kanë bërë me inxhinierë besojnë që është vlerë e përshtatshme për kërkesat që i kanë paraqitur në tender.

Vitin e kaluar, qyteti i Kaçanikut, nuk ishte dekoruar. Sipas Osmanit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së buxhetit.

Ndërsa në vitin 2021 kosto e dekorimit të qytetit ishte afër 9 mijë euro.