Arta Berisha

Nënkryetarja e bordit në fund të mandatit ka disa fjalë për RTK-në

Nënkryetarja e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Arta Berisha në përfundim të mandatit të saj në këtë pozitë ka shkruar disa fjalë për transmetuesin publik.

Berisha pas dy viteve si anëtare e bordit të RTK-së tha se tani kjo media është më profesionale e më e lirë.

“Jam e kënaqur që sot i shkruaj këto dy tri fjalë me bindje të plotë që RTK si institucion që financohet nga paratë e qytetarëve është më profesionale dhe më e lirë, më llogaridhënëse për financat e saj, më transparente në raport me punën brenda dhe përfaqësimin jashtë dhe më e hapur për njerëzit pa dallim bindjeje”- shkroi ajo.

Berisha tha se në RTK ka ende shumë për t’u bërë.

“Natyrisht ka ende shumë përpara dhe përpjekjet për ta bërë RTK-në të suksesshme janë rigoroze me arsyen kruciale sepse vet diskutimi për transmetuesin publik është diskutim për vlerat dhe parimet që dëshirojmë t’i shohim në shoqëri, rrjedhimisht kontributi i të gjithëve vlen dhe llogaritet”- thuhet në postimin e Berishës.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, nënkryetarja, Arta Berisha dhe anëtarja, Shukrije Rama, ishin zgjedhur në pozitën e anëtarit të bordit më 6 dhjetor 2021 me mandat 2 vjeçar.

Bordi i RTK-së pas përfundimit të mandatit të këtyre tre anëtarëve do të ketë 7 anëtarë.

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për votim, gjashtë emra për plotësimin e pozitave pas skadimit të mandatit të tre anëtarëve  më 1 nëntor 2023.

Këta emra kanë shkuar si pikë e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës para dy jave por që seanca ka përfunduar para kësaj pike.

Mehmet Kalisi, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Shukrije Rama, Naile Demiri dhe Dritan Shaipi janë kandidatët më të poentuar nga 13 kandidatët e intervistuar nga Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e tre anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Në listën e kandidatëve më të poentuar nuk kanë hyrë kryetari dhe nënkryetarja e bordit aktual të RTK-së, Besnik Boletini dhe Arta Berisha.

Në vitin 2021 Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur tetë anëtarët e bordit të RTK-së, në atë të zgjedhur ishin Anëtarët e zgjedhur janë: Bekim Sele, Safet Kabashaj, Besnik Boletini, Driton Hetemi, Fatime Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti dhe Shukrije Rama.

Në anën tjetër, KALLXO.com kishte publikuar më 1 shtator 2023 hulumtimin që tregonte se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik (RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregonin për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

Dëshmitë konfirmonin se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës.

Hulumtimi i plotë:

Radio Televizioni i Burrave