Foto: Kapitenia e skuadrës së Spanjës, Olga Carmona, Twitter.

Nëna e shefit të futbollit spanjoll shtrohet në spital, tri ditë pasi hyri në grevë

Nëna e presidentit të Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales i cili u pezullua nga detyra pasi e puthi me forcë një futbolliste gjatë triumfit të Spanjës në Kupën e Botës, u shtrua në spital të mërkurën vonë, tri ditë pasi kishte hyrë në grevë të urisë.

Angeles Bejar, e cila e nisi grevën e urisë brenda një kishe në qytetin bregdetar Motril, për të protestuar për të birin, u evakuua dhe u dërgua në spital nga shërbimi emergjent, tha prifti Antonio Rodriguez të enjten.

“Më duhet t’ju them se ajo përjetoi një krizë dhe duhej të dërgohej në spital. Ajo nuk është këtu më”, tha prifti, duke shtuar se Angels Bejar ishte “e lodhur, e shumë telashe shëndetësore, jo vetëm me stres emocional”.

Nëna e Rubiales ishte zotuar se do të qëndronte brenda kishës derisa futbollistja Jennifer Hermoso, të cilën djali i saj e puthi në gojë, “ta tregonte të vërtetën” për atë që ndodhi.

“Ky ngacmim nuk është i drejtë. Nëna e tij, e cila është shumë fetare, gjeti strehim te Zoti. Ajo e ka nisur grevën e urisë dhe nuk dëshiron të largohet nga kisha”, tha mbesa e saj Vanessa Ruiz Bejar të hënën.

Spitali në Motril nuk e ka konfirmuar për AFP nëse Bejar është pranuar në spital si paciente.

Rubiales, 46 vjeç, u rrit në Motril ku babai i tij ishte kryetar i qytetit bregdetar.

FIFA, shtëpia e futbollit botëror, e pezulloi Rubialesin të shtunën, pasi ai e puthi me forcë në gojë Hermoson, gjatë ceremonisë kur kombëtarja e grave e Spanjës e fitoi Kupën e Botës më 20 gusht, duke nxitur shumë kritika dhe thirrje për dorëheqjen e tij.

Rubiales ka refuzuar të japë dorëheqje përballë presionit nga politikanët, lojtarët, sindikatat, duke e përshkruar puthjen si një veprim “të lirë, të ndërsjellë dhe konsensual”.

Hermoso, ndërkohë, tha disa ditë pas incidentit se u ndje sikur u sulmua nga shefi i futbollit spanjoll.

“U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskulinor; një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë s’u respektova”, tha Hermoso në një deklaratë në rrjetet sociale më 25 gusht./REL