Objekti i Komunës së Leposaviqit

Nën përcjelljen e forcave të rendit, kryetari i Leposaviqit vendoset në zyrën e tij në komunë

Mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Komunës së Leposaviqit ka hyrë në zyrën e tij.

KALLXO.com mëson se Hetemi tashmë ka hyrë në objektin e komunës dhe është vendosur në zyrën e tij të punës, si kryetar.

Që nga mesdita e së premtes, në katër komunat me shumicë serbe, është dëgjuar alarmi i sigurisë.

Menjëherë pas sirenave, në tri komuna, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, janë parë qytetarë serbë që kanë bllokuar hyrjet e objekteve të komunave.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës është angazhuar që të u siguroijë hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Situata e krijuar ka prodhuar tension, ndërsa sipas forcave të rendit, gjatë ndërhyrjes në Zveçan, pesë zyrtarë policorë morën lëndime të lehta trupore, katër automjete u dëmtuan, njërës prej të cilave iu vë flaka.

Gjithashtu, organet ligjzbatuese thanë se në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

E gjithë kjo situatë, sipas organeve të drejtësisë është cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

“Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale” – thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës dhe zhvillimet e tjera:

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri