Foto: KALLXO.com

Kryetari i Leposaviqit: Procesi i peticionit për shkarkimin tim nuk është i sinqertë, qytetarët po paguhen nga Serbia 

Mëngjesin e sotëm, nga zyra e tij, ku po punon tash e 8 muaj, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka përcjellë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin, përmes të cilit synohet shkarkimi i tij nga pozita që aktualisht e mban. 

Një grup qytetarësh të organizuar rreth orës 9:00 të mëngjesit ishin nisur drejt një tende që ishte vendosur përballë Komunës së Leposaviqit dhe aty nënshkruajtën peticionin i cili është formuluar për të kërkuar shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi.

Gjatë ditës, ekipi i KALLXO.com ishte në Leposaviq dhe nga afër përcolli këtë aktivitet që u mbajt aty. Tenda do të qëndrojë për disa ditë e vendosur përballë Komunës. 

Në një intervistë për KALLXO.com, kryetari aktual i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e sheh jo të sinqertë dhe me presion nënshkrimin e peticionit. 

“Jo, s’e shoh të sinqertë, sikur më herët kur kemi hy këtu sepse vet i kam parë nënat serbe me fëmijë në dorë kur i kanë dëgju këmbanat e kishës, vrapojshin me ardhë me u nënshkru këtu, ne i kemi përcjellë edhe vetë këto, ashtu është edhe sot me peticion, nëse është i sinqertë edhe një herë po them këtë e ka leju vetë shteti, Qeveria e Kosovës, ne jemi këtu për me u bo mirë”- thotë Hetemi deri sa denoncon se ka fotografi që qytetarët u paguan për këtë çështje. 

Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Deri sa po bisedonte me ekipin për çështjen e peticionit ai tregoi se që nga mëngjesi i ka vëzhguar se çfarë po zhvillohej afër zyrës së tij. 

“Deri më tash kanë hezituar me dalë, ka mungu organizimi por me të gjitha gjasat sepse kam qenë këtu nga mëngjesi dhe i kam përcjellë. Hynin njerëzit nga tenda e bardhë në tendën tjetër dhe po, kemi pa dhe janë të fotografuar që kanë shpërndarë para. Në mëngjes ka pasur kallaballëk po tash e patë edhe ju nga 2-3 vetë nuk janë. Fakt është që kanë presion qytetarët sidomos ata që paguhen nga sistemi paralel nga Serbia sidomos shëndetësia dhe arsimi, ata janë të detyruar, kemi informata shumë të sakta edhe nga Policia që janë duke i detyruar, informacione kemi edhe nga punëtorët serbë që i kemi këtu”- thotë ai. 

E këto fakte ai thotë se nuk i ka deponuar pasi që Policia është në dijeni për këto çështje.

“Jo, nuk i kam deponuar këto, ne kemi vetëm dyshime se po hynë aty e po dalin dhe dy-tre persona kanë numëru pare kur kanë dalë nga aty. Unë kam bisedu edhe me drejtorin e Policisë në stacionin policor në Leposaviq dhe ata janë duke e përcjellë situatën”- shton ai. 

Tutje Hetemi për KALLXO.com tregon se pse nuk i lejoi grupit iniciator të peticionit lokacionin tjetër për të cilin kishin kërkuar ta shfrytëzonin. 

“Kanë kërkuar një sallë sportive por është bukur larg, dhe që t’i mbajmë në vëzhgim, me pa çka po bëjnë, se këta dinë edhe me manipulu, ua kemi dhënë këtu, fillimi ka qenë edhe vetë këtu para Komunës i kemi leju dhe këtu janë nga sot”- tregon ai deri sa thotë se këtë aktivitet (nënshkrimin e peticionit) ua kanë lejuar vetë që ta mbajnë. 

Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Kjo pasi që ishte Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që përmes një udhëzimi administrativ ka lejuar qytetarët të mbledhin nënshkrimet dhe të kërkojnë shkarkimin e kryetarit. 

“Qeveria, Ministria e Pushtetit Lokal në bashkëpunim edhe me ne e kanë mundësu peticionin dhe nuk e kemi atë problem. Sipas mendimit tim ia ka vlejtë shumë, sepse po e shihni edhe ju vetë ndryshimin. Keni qenë edhe herave të tjera edhe gjatë protestave, ia ka vlejtë sepse është shtri sovraniteti në tërë Leposaviqin por edhe në tërë veriun e Kosovës”- tha kryetari Hetemi. 

Kryetari thotë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme pasi që, sipas tij, e ka arritur qëllimin e tij. 

“Nuk e besoj, ia kam arritë qëllimit. Më mirë me e lanë me kaq. Qëllimi jonë ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe nëse vjen dikush pas neve këtu, shihni zyrën dhe komunën me simbole dhe ligje të Kosovës, nuk besoj që do të ketë struktura paralele”- shton tutje kryetari Hetemi. 

Në fund të intervistës, kryetari Lulzim Hetemi tregon pak edhe për punën në Komunë, duke përmendur faktin se punët po ecin mirë dhe në bazë të rregullave. 

“Në Komunën tonë, zyrtarët janë shumica serbë, kemi drejtori, gjashtë drejtori i kemi shqiptare, po funksionon mirë, të gjitha zyrat i kemi pru këtu, para Vitit të Ri i kemi shpërnda 438 mijë euro subvencione, në bujqësi, shëndetësi, për njerëz që kanë qenë të sëmurë dhe studentëve u kemi nda bursa. Bashkëpunimi po ec mirë sepse të gjithë janë djem dhe vajza të reja që nuk kanë punu në institucione paralele më herët”- përfundon ai. 

Ditëve të fundit kryetari Hetemi nuk po qëndron i ngujuar në Komunë ashtu si ka qëndruar për muaj të tërë.

Tani ai mund të dalë e të hyjë lirshëm në Komunë pa pasur ndonjë pengesë nga qytetarët siç kishte në fillim. Madje gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com qëndroi në oborrin e Komunës së Leposaviqit nuk u panë as ushtarakët e KFOR-it që ishin aty për muaj me radhë për të ofruar siguri pas tensionimit të situatës pas 26 majit të vitit të kaluar. 

Atmosfera në Komunë dhe në oborr ishte e qetë. Aty kalonin qytetarë e makina të ndryshme pa u penguar nga askush. 

Nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e Lulzim Hetemit shkoi pa ndonjë incident ndërsa tenda do të qëndrojë për disa ditë aty në mënyrë që të mblidhen 2 mijë e 691 nënshkrime sa duhen për të nisur procedurën e shkarkimit e tutje për të vazhduar me zgjedhjet e parakohshme. 

Në rast se peticioni dështon dhe nuk arrihet të merren nënshkrimet e duhura, grupi iniciator do të ketë një mundësi të dytë për peticionin e radhës vetëm pas 12 muajve. 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për kërkesat fillimisht të qytetarëve serbë për të larguar kryetarin Hetemi nga Komuna e deri tash te udhëzimi administrativ për ta shkarkuar atë. 

Më 5 shtator ishte ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal ai që publikoi udhëzimin e miratuar për shkarkimin e kryetarëve. 

Në këtë UA thuhet se duhet 20 për qind e votuesve të një komune për të larguar kreun e pushtetit lokal. 

Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit që u mbajtën në Mitrovicë të Veriut të drejtë vote kishin 18 mijë e 118 qytetarë, në Leposaviq 13 mijë e 318, në Zveçan 6 mijë e 998, ndërsa në Zubin Potok 6 mijë e 661. 

Në udhëzimin e publikuar thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet në bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion ndaj qytetarëve. 

Për këtë çështje fillimisht parashihej formimi i një grupi i quajtur nismëtar, i përbërë nga të paktën tre persona që do të përfaqësonte kërkesën në komunën përkatëse. 

Tutje grupi para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftonte kryesuesin e kuvendit komunal dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tutje kryesuesi informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë dhe KQZ-në për kërkesën. Pas pranimit të kërkesës jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi ka pasur kohë që të shqyrtojë dhe të regjistrojë grupin si palë e autorizuar. 

Nëse kjo çështje bëhej brenda afatit grupi mund të kërkonte nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën. 

I njëjti grup duhej që të paraqiste te kryesuesi i kuvendit komunal edhe dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë edhe listën e nënshkrimit dhe autorizimin nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës për mbledhjen e nënshkrimeve. 

Këtë proces ende nuk e kanë ndërmarrë dy grupet iniciatore, ajo në Zveçan e Zubin Potok. Të paktën kështu është thënë nga burime të KALLXO.com brenda komunave pasi nuk është bërë ende kërkesa për shfrytëzimin e hapësirave. 

Pasi grupi nismëtar nis mbledhjen e nënshkrimeve ka afat 30 ditë për përfundimin e tyre në formë fizike e afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë. 

Pasi të mblidhen nënshkrimet, ato dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe në Komisionin Qendror Zgjedhor e tutje institucioni i zgjedhjeve verifikon këto nënshkrime dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen pra 20-përqindëshi i votuesve, grupi ka afat prej 10 ditësh që ta përfundojë kuotën e kërkuar. 

Në rast se KQZ konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Ky proces organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe në fund kjo e fundit ka për obligim që të nisë procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.