Në vetëm 24 orë në katër raste të ndara, policët kanosen e sulmohen nga të dyshuarit
Në vetëm 24 orët e fundit, zyrtarët e Policisë së Kosovës janë kanosur, sulmuar e goditur me veturë në disa raste të ndryshme që kanë ndodhur.
Në raportin policor është thënë se zyrtarët policor në orët e para të ditës së djeshme ishin kanosur nga një i dyshuar që ishte arrestuar nën dyshimin se kishte kryer veprën penale “Dhunë në familje”.
Sipas PK-së, ngjarja ka ndodhur në Obiliq rreth orës 01:19.
“Është arrestuar i dyshuari pasi që, i njëjti kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me viktimën. Në vendin e ngjarjes ai kishte kanosur zyrtarët policor”- ka thënë Policia.
Tutje është thënë se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Më pas, rreth orës 13:40, njësiti policor dhe njësiti mobil i doganës kanë ndaluar një veturë me targa vendore në Viti.
Gjatë kontrollit, zyrtarët e institucioneve të vendit kishin gjetur dhe konfiskuar 1 mijë e 299 boksa me cigare.
Policia në raportin ditor ka thënë se gjatë legjitimimit të personave të dyshuar, njëri nga ta ka rezistuar duke e sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor.
Policit nga ky sulm iu janë shkaktuar lëndime trupore.
“Dy të dyshuar janë arrestuar ndërsa i dyshuari i tretë ka ikur nga vendi i ngjarjes. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”- ka thënë PK.
Rasti i tretë ku policët janë sulmuar gjatë ditës së djeshme ka ndodhur në Prizren rreth orës 15:00.
Policia ka thënë se gjatë arrestimit të një personi të dyshuar, tek i cili është gjetur dhe konfiskuar një armë, ai ka penguar dhe sulmuar zyrtarët policor.
Tutje u njoftua se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, në ndërkohë që është iniciuar rast për sulm ndaj personit zyrtar edhe për armëmbajtje pa leje.
Rasti i fundit i raportuar ku është penguar e edhe janë sulmuar zyrtarët policor ka ndodhur në Kllokot, rreth orës 17:05.
Policia ka thënë se zyrtari policor derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare, ka sinjalizuar një veturë për ndalim të cilën e drejtonte një e dyshuar.
Sipas policisë, e dyshuara gjatë ndaljes në mënyrë të pakujdesshme me pjesën e përparme të veturës ka goditur zyrtarin policor.
Polici i lënduar më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti dhe pas tretmanit mjekësor është liruar.