Në Spanjë, Osmani takon kancelarin gjerman Scholz dhe kryeministrin grek Mitsotakis

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke zhvilluar një takim me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz dhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në Granada të Spanjës.

Në fotografitë e siguruara nga KALLXO.com, në prapavijë shihet edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i vetëm.

Presidentja është duke marrë pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Përpara se të hyjë në takim, Osmani ka mohuar se do të zhvillojë ndonjë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se miratohen sanksionet ndaj Vuçiq, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”- tha Osmani.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të vendosen masa ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar të martën në Beograd, e është liruar të mërkurën.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA-të, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.