Foto: MD

Në qershor Instituti zviceran vjen në Kosovë për rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka takuar sot Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Sipas njoftimit të Ministrisë, ministrja Haxhiu është njoftuar gjatë takimit me punët e Prokurorisë gjatë kohës sa vendi po përballet me pandeminë e coronavirusit dhe veprimet e ndërmarra nga ky institucion në këto rrethana.

“Në takim u diskutuan çështjet që janë prioritet i Ministres së Drejtësisë të dalura nga programi qeverisës. Ministrja theksoi veçanërisht përgatitjet e Ministrisë në përpilimin e draftligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si mjet kyç në rrugën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionin, koncept dokumenti i të cilit pritet shumë shpejt të procedohet në Qeveri për miratim”, thuhet në njoftim.

Ministrja Haxhiu ka theksuar edhe një herë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“Luftimi dhe konfisikimi i pasurisë së paligjshme duhet të jetë prioritet i institucioneve të drejtësisë në mënyrë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, citohet të ketë thënë ministrja në detyrë.

Po ashtu, ministrja Haxhiu ka shprehur gatishmërinë për të fuqizuar kapacitetet e institucioneve të drejtësisë, sidomos të Prokurorisë Speciale.

Ajo gjithashtu ka theksuar nevojën e riangazhimit të Institutit zviceran, përmes mundësisë së vizitës së tyre në Kosovë për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat për rastin Dehari, gjë për të cilën u njoftua se në qershor të këtij viti është planifikuar që përfaqësuesit e Institutit Zviceran të vijnë në Kosovë.