Në Pejë shpërndahet informacion i rremë për virusin

Një informacion i shpërndarë në rrjetet sociale se në lagjen Karagaq të Pejës është shfaqur një rast me COVID është i rremë.

Publikimi në rrjetet sociale është duke u hetuar edhe nga Prokuroria e Pejës të cilët tashmë janë duke gjurmuar se kush janë autorët e këtij lajmi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Nikçi tha se është autorizuar Policia për identifikimin e saktë të portalit.
Dje lidhur me këtë rast, Drejtoria e Shëndetësisë në Pejë ka dalë me një reagim.
Publikimi i plotë i Drejtorisë :
Reagim
Para disa minutave nga një faqe në rrjetet sociale është lansuar një lajm i pavërtetë se kinse në lagjen Karagaq ka persona të infektuar më virus Covid-19.
Ju njoftojmë se asnjë person nga lagja Karagaq nuk i është nënshtruar testimeve për Covid-19 dhe nga kjo del se ky lajm është i pavërtete dhe i pa bazuar dhe qëllim keq duke krijuar panikë në banorët e kësaj lagjeje.
Vetëm raportet publike të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë valide dhe të bazuara në rezultate.