EULEX-i në hyrje të Mitrovicës, Foto: KALLXO.com

Në hyrje të rrugës për në Leposaviq vendoset edhe EULEX-i

Në rrugën kryesore që të dërgon për në Leposaviq, përveç Policisë së Kosovës të cilët janë të vendosur aty, sot janë parë edhe ekipe të EULEX-it.

Përderisa prezenca e Policisë ka qenë tash e disa ditë pasi përgjatë rrugës në Leposaviq, tek vendi i quajtur “Dudi i Kërshit” ka pasur rrëshqitje të dheut.

Në ditën e 13-të të vendosjes së barrikadave në veri, serbët kanë paralajmëruar protestë në ora 12:00 në Rudarë të Leposaviqit.

I ashtuquajturi ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ që ka paralajmëruar, ka thënë se protesta do të jetë më e madhja popullore që ka ndodhur ndonjëherë, raporton media Kossev.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe popullore që ka ndodhur ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar te Kryqi” – citohet të jetë thënë nga shtabi në fjalë.

Lidhur me këtë protestë Policia e Kosovës ka thënë se janë të njoftuar për këtë protestë dhe duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare do të kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Që nga 10 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga barrikadat.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Me vendosjen e barrikadave u mbyllën me vendim të Policisë së Kosovës edhe dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me vendin e saj fqinj, Serbinë.

Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Ai dyshohet që më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmin ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, gjatë kohës kur zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nën shoqërimin e policëve po vendoseshin aty.

Qëllimi i vendosjes së këtyre zyrtareve ishte përgatitja për zgjedhjet lokale që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë deri më 23 prill 2023.

Tensionet në veri filluan të shfaqeshin një muaj para se të ndodhte sulmi në KKZ.

Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor. Kjo erdhi pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e shqiptimit të gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale. Për të cilën më pas u arrit marrëveshje në Bruksel.

Me tensionet e krijuara erdhën edhe sulmet ndaj zyrtarëve policor e edhe ndaj gazetarëve që po vazhdojnë të raportojnë çdo ditë në këto zona.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Përderisa vetëm një ditë më vonë, në mëngjesin e 9 dhjetorit të këtij viti, ekipi i KALLXO.com është sulmuar nga persona të maskuar që po qëndronin pranë shkollës teknike në veriun e Mitrovicës.

Për largimin e barrikadave, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me udhëheqës të tjerë të shtetit, disa herë e kanë përsëritur që janë në pritje të KFOR-it.

E përsëritur ka qenë edhe deklarata që Policia e Kosovës ka kapacitetet e mjaftueshme për të intervenuar në largimin e barrikadave, madje për këtë u tha se edhe ekziston një plan i detajuar.

Në anën tjetër, KFOR nuk ka dhënë një përgjigje definitive se sa kohë i duhet për të filluar largimin e barrikadave, mirëpo kanë treguar se janë vigjilent e janë duke e monitoruar situatën.

Nga ky mision paqeruajtës u tregua dje se më 19 dhjetor kanë përfunduar stërvitjet e tyre që u bënë në Nosovsellë.

KFOR tregoi se kjo stërvitje u bë me qëllim për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes duke përdorur mjetet në dispozicion, përfshirë këtu automjete të rënda logjistike dhe mjete inxhinierike.

Prezenca e KFOR-it është parë edhe në Jarinjë më 18 dhjetor.

Në po këtë datë, në këtë pikë kalim kufitar, në anën e Serbisë, dhjetëra serbë janë parë duke protestuar, me qëllim të mbështetjes së serbëve në Kosovë.

Protesta pati tensione në mes qytetarëve pjesëmarrës dhe zyrtarëve policorë serbë.

Gjatë protestës pati një arrestim, u gjuajt me mjete shpërthyese e madje edhe u tentua nga protestuesit që të kalonin nëpër vendkalimin kufitar në Jarinjë por të njëjtit u ndalën nga kordoni i Policisë Serbe.