Në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve ish-komandanti i UÇK-së tregon kush e liroi Enver Sekiraqën

Rrustem Mustafa, i cili është duke dhënë dëshmi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të hënën ka deklaruar se Shtabi i Përgjithshëm e ka liruar Enver Sekiraqën.

Nga trupi gjykues, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit u pyet mbi arrestimin dhe urdhrin se kush e liroi atë.

Mustafa ka pohuar se Sekiraqa ka qenë një prej të ndaluarve në Majac, ndërkaq lirimin e tij e arsyetoi se nuk ka pasur kushte për mbajtje.

“Ka qenë koha kur nuk kemi pasur kushte për mbajtjen e këtyre në ambientet  tona” – deklaroi Mustafa.

Ndërkaq, ai tha se lirimi i tij kishte ardhur nga Shtabi.

Gjykatësi e pyeti a e liruat ju apo Shtabi i Përgjithshëm?

“Ne bashkë me Shtabin e Përgjithshëm” – u përgjigj Mustafa.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.