Nicholas Abbott

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori britanik përmend rënien e Kosovës për 8 pozita në Indeksin e Lirisë së Shtypit

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se Kosova duhet të jetë krenare për shtypin e saj të gjallë dhe dinamik.

Por nga ana tjetër ai ka përmendur rënien e Kosovës për disa pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

“Por ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në raportin e fundit të publikuar nga “Reporterët pa kufij”, Kosova ka rënë për tetë pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit pas viteve të ngjitjes së vazhdueshme në renditje”, ka shkruar Abbott.

Ambasadori Abbott ka theksuar se liria për të raportuar pa frikë nga ngacmimi ose frikësimi – qoftë fizik ose online – është jetik për çdo demokraci.

“Një mjedis i hapur, në të cilin mbrohet liria e shtypit, është jetik për llogaridhënien dhe për stabilitetin afatgjatë të Kosovës. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur lirinë e mediave në Kosovë dhe në të gjithë botën”, ka përfunduar Abbott.

Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 3 maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë, që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.