Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për kontrabandim të migrantëve

Seanca gjyqësore ndaj Rrustem Rrustemit dhe Fehmi Fazliut, të akuzuar për kontrabandë të migrantëve drejt Norvegjisë është ndërprerë në Gjykatën e Mitrovicës.

Arsye për ndërprerjen e kësaj seance ishte mungesa e të pandehurit Fehmi Fazliu, për të cilin kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti, ka njoftuar se i është dërguar ftesë në mënyrë të rregullt, kurse nga fletëkthesa është vërtetuar se i akuzuari ftesën e ka pranuar por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Gjykata nuk ka filluar seancën në kohën e caktuar, duke pritur për disa minuta ardhjen e të pandehurit Fazliu..

Po ashtu është urdhëruar Policia, përkatësisht stacioni i policisë në Skenderaj që të pandehurin Fazliu ta sjell me detyrim në gjykatë dhe seanca të vazhdojë pas pauze.

“ Ne konsiderojmë se i njëjti po bënë përpjekje për të penguar dhe zvarritur procedurën”, tha kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Rrustem Rrustemin dhe Fehmi Fazliu për kontrabandë me migrantë drejt Norvegjisë.

Sipas akuzës së prokurorisë të pandehurit Rrustemi dhe Fazliu së bashku janë marrë me trafikim të migrantëve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Akuza e prokurorisë thotë se në muajin shtator të vitit 2010 në Skenderaj, i pandehuri Rrustem Rrustemi u ka siguruar dokumente të falsifikuara të udhëtimit – pasaporta dhe letërnjoftime gjermane të dëmtuarve Ragip Muharremi e Fitim Smajli për t`i dërguar në Norvegji.

Kurse për këtë të dëmtuarit i kanë dhënë secili nga 3000 euro që të dy të pandehurve, derisa i pandehuri Fehmi Fazliu ju ka garantuar se nëse dokumentet e udhëtimit dalin të falsifikuara dhe nuk arrijnë që të kalojnë kufirin do të ua kthej të hollat të dëmtuarve.

Pastaj i pandehuri Rrustem Rrustemi i ka marrë të dëmtuarit për t’i dërguar në Norvegji ku së pari kanë shkuar së bashku deri në Shkup- Maqedoni duke i vendosur një taksi për në Selanik- Greqi që pastaj të udhëtojnë për në Norvegji, kurse i pandehuri Rrustem Rrustemi vetë nuk ka udhëtuar.

Me pas të dëmtuarit në aeroportin e Selanikut ishin ndaluar nga policia Greke dhe dokumentet e udhëtimit ishin konstatuar të falsifikuara, dhe u janë konfiskuar, ndërsa vetë të dëmtuarit sipas akuzës së prokurorisë kishin qëndruar disa ditë në burg e pastaj i kanë depërtuar për në Kosovë.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë.

Gjithashtu të pandehurit akuzohen në vitin 2010 së bashku kanë falsifikuar dokumente publike-pasaporta dhe letërnjoftime gjermane në emër të Ragip Muharremit dhe Fitim Smajli, ashtu që kanë vendosur fotografitë dhe kanë plotësuar të dhënat e tyre personale.