Gjykimi i ish-kryeinspektorit të Kamenicës, Refik Latifaj - Foto: KALLXO.com

Ish-kryeinspektori i Kamenicës: Asnjë operator nuk e udhëzova të pajiset me dokumente fiktive

Në Gjykatën e Gjilanit ka vazhduar gjykimi i Refik Latifajt, ish-kryeinspektor në Komunën e Kamenicës, i cili po akuzohet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Latifaj dyshohet se ka ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës.

Në gjykimin e sotëm, Latifaj iu përgjigj pyetjeve të mbrojtësit të tij lidhur me përshkrimin e detyrave të punës, zbatimin e vendimit të Qeverisë mbi ndalimin e eksploatimit të rërës, si dhe arsyetimet përkatëse me rastin e daljes në vendngjarje sipas kërkesës së Policisë.

Gjatë mbrojtjes së tij Latifaj tha se që nga prilli i vitit 2014 ka ushtruar pozitën e përgjegjësit të Inspektoratit komunal në Komunën e Kamenicës.

Latifaj tha se të gjitha veprimet e tij pas kësaj kohe i ka kryer gjithnjë në respektim të vendimit të Qeverisë nr. 02/46, ku përcaktohet ndalimi për tri vite i eksploatimit të materialeve inerte nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat përreth lumenjve në tërë Kosovën, përfshirë edhe komunën e Kamenicës.

Mirëpo sipas Latifajt, në vitin 2012 ishte njoftuar nga kryetari i Kamenicës se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) kishte dorëzuar tek ai një marrëveshje bashkëpunimi rreth zbatimit të këtij vendimi të Qeverisë, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, KPMM-së dhe OJQ-së “Zhavorri”, e cila marrëveshje në nenin 3.1 të saj kishte lejuar shfrytëzimn e materialeve inerte jashtë shtretërve të lumenjve vetëm operatorëve që kanë licencë të eksploatimit nga KPMM dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lidhur me këtë, Latifaj arsyetoi se “këtë dispozitë të kësaj marrëveshje e kam kuptuar se në ato sipërfaqe në të cilat operatorët ekonomikë kanë pasur licencë për eksploatim kanë të drejtë që të eksploatojnë rërë deri në përfundim të afatit të kësaj licence”.

https://kallxo.com/gjykimi-per-eksploatimin-e-reres-deshmon-komandanti-i-policise/

Ai më tutje kur u pyet për daljet në vendngjarje tha se çdoherë kanë dalë pas kërkesës së Policisë kur ata kishin ndalur ndonjë kamion me rërë. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që të lëshoj ndonjë kamion transportues me rërë i cili nuk ka pasur dokumentacion të rregullt. Por, sa herë që kanë hasur në kamionë pa dokumente të rregullta i kanë ndalur dhe iu kanë konfiskuar rëra dhe zhavorri”, deklaroi Latifaj.

Kur u pyet se a keni udhëzuar operatorët ekonomikë për t’u pajisur me licenca-dokumente doganore për kryerjen e aktiviteteve eksploatuese të rërës, i pandehuri tha se personalisht asnjëherë askënd nga operatorët ekonomikë apo personat e tretë nuk e ka udhëzuar që të pajiset me dokumente fiktive, qoftë edhe doganore.

Latifaj më tej u pyet se dëshmitari Nazif Hajrizi komandant i Policisë në Kamenicë kishte deklaruar se me rastin e ndaljes së kamionëve të ngarkuar me rërë, të njëjtit kishin pasur dokumentacion të dyshimtë, si p.sh. DUD-in.

Lidhur me këtë, i akuzuari Latifaj deklaroi se “në rastet e tilla sa herë që Policia i kanë ndalur këso kamionë transportues, kemi dalë në vendngjarje dhe pas shikimit të dokumenteve si inspektor kemi ardhur në përfundim se dokumentet janë në rregull dhe se kemi udhëzuar Policinë që sa herë që kanë dyshime në këtë drejtim të verifikojnë më tutje”.

Latifaj në fund pranoi se kishte biseduar me telefon me Rexhep Veselin pronar i kompanisë “Agi Dani”, krejt kjo pasi që kishte pasur një kërkesë nga Sabri Thaqi, person ky i interesuar për të siguruar rërë për të ndërtuar një fermë të lopëve,e subvencionuar nga Ministria e Bujqësisë.

Lidhur me këtë bisedë Latifaj tha se i ka propozuar fermerit Sabri Thaqi që të sigurojë rërë nga kjo kompani duke shtuar se thirrjen telefonike që e kishte realizuar me pronarin e firmës “Agi Dani” e kishte bërë vetëm sa për t’ia kryer këtë shërbim Sabriut, pasi që ky nuk kishte pasur mbushje telefonike.

Pas kësaj, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Aziz Shaqiri, Venhar Salihu e Ramiz Azizi njoftuan ndërprerjen e seancës sepse ishte fundi i orarit të punës, duke caktuar datat 28 dhe 29 janar 2019 për vazhdimin e këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës, përfaqësuar nga prokurori i shtetit Isuf Sadiku, thuhet se Refik Latifaj akuzohet se në periudhën kohore 2013-2014 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaron se këtë ndihmë Latifaj e ka bërë duke dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.