Dështon seanca ndaj doganierëve të akuzuar për kontrabandë me produkte kozmetike

Në Gjykatën e Mitrovicës përsëri ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj doganierit Marko Mlladenoviq dhe ish-doganierit Bekim Gashi

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Kurse Mlladenoviq dhe Gashi të dy doganierë, respektivisht ish-doganierë, njëri serb e tjetri shqiptar po përballen me një akuzë për shkak se toleruan kontrabandën në veriun e Kosovës gjatë vitit 2014-të.

Doganieri Marko Mlladenoviq dhe ish-doganieri Bekim Gashi akuzohen se nuk kanë zhdoganuar një kamion me mallra kozmetike, si brisqe të rrojës, detergjent dhe pelena për bebe.

Sipas aktakuzës dëmi nga ky mos zhdoganim për buxhetin e Kosovës është në vlerë prej 12,622.00 euro.

Me këtë në bashkëkryerje akuzohen se në shtator të vitit 2014 kanë kryer veprën penale të shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Ndërsa sot seanca ndaj tyre nuk ka arritur të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Filip Filipoviq ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër arrest drejtuar stacionit policor në Leposaviq, të cilët vërtetojnë se nuk jeton në komunën e Leposaviqit por në Rashkë të Serbisë.

Në këtë seancë po ashtu nuk ka prezantuar as i pandehuri Miljan Stojanoviq, për të cilin në raportin e policisë rezulton se në adresën e tij nuk jeton askush.

Kryetari i trupit gjykues gjyqtari Bekim Veliqi ka bërë të ditur se mungojnë edhe i pandehuri Bekim Gashi dhe mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi.

Për të lartcekurit mbrojtësi i të pandehurit Marko Mlladenoviq, avokati Avdi Dinaj ka thënë se ishte njoftuar nga avokati Gashi se i njëjti është izoluar, për shkak të kontaktit që ka pasur me persona të infektuar me Covid-19, e për çka dhe nuk ka mundur të jetë prezent në seancën e shqyrtimit gjyqësor.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore, gjyqtari Veliqi e ka shtyrë gjykimin për kohë të pacaktuar.